“Erdhëm duarbosh në këtë botë dhe… ashtu do ikim!”/ Fabula e Mbretit dhe 8 gjëra që nuk blihen me para

Vos, Cornelis de um 1584 – 1651. “König David übergibt das Szepter seinem Sohn Salomon”. (Könige 1,46–48). Öl auf Leinwand, 174 × 244 cm.

Nuk është çdo i pasur i lumtur dhe as çdo i varfër nuk është i vuajtur.

Në fakt, lumturia e vërtetë i ka rrënjët tek zemra e njeriut.

Në vijim, për të ilustruar këtë, do t’ju njohim me një rrëfenjë të vjetër, që do t’ju bëjë të reflektoni thellë.

Amaneti i mbretit që mahniti botën. Lexojeni tani dhe do kuptoni pasurinë më të madhe që do të keni…

RRËFENJA E MBRETIT

Një mbret i shtrirë në shtartin e vdekjes i tha njerëzve rreth tij: Do t’ju lë tre porosi.

Porosia e parë është që trupin tim, kur ta dërgoni për në varr, ta mbajnë vetëm mjekët e mi!

Porosia e dytë është që rrugën që do të përshkojë trupi im deri në varr ta mbuloni me flori, argjend e gurë të çmuar!

Porosia e tretë është që duart të m’i nxirrni nga arkivoli dhe lërini të hapura!”

Një nga gjeneralët e tij më të afërt i tha: “Mbreti ynë, porositë e tua do të zbatohen pa asnjë mangësi, por mund të na thuash se cilat janë urtësitë e këtyre tre porosive?”

Ai mori frymë thellë dhe tha: “Dua t’i jap botës një mësim që vetëm tani në fund të jetës e kam kuptuar.

  • Përsa i përket porosisë së parë, dua t’i tregoj njerëzve se kur vdekja vjen asnjë nuk mund ta shtyejë, qoftë edhe doktorët, tek të cilët nxitojmë sa herë jemi sëmurë, por shëndeti dhe jeta janë mirësi që nuk i kanë në dorë njerëzit.
  • Përsa i përket porosisë së dytë, dua ti tregoj njerëzve se koha që harxhuam për të mbledhur pasuri iku pa vlera dhe se kjo pasuri sado e madhe që të jetë nuk mund ta marrim me vete pas vdekjes tonë.

Ndërsa me porosinë e tretë dua t’i tregoj njerëzve se ne erdhëm në këtë botë me duar bosh dhe po largohemi prej saj me duar bosh.”

… dhe gjërat që nuk blihen dot me para

Ka shumë individë të cilët kanë me miliarda në llogaritë e tyre bankare.

E megjithatë, jo çdo gjë mund të blihet me para.

Më poshtë, kemi shënuar disa gjëra që njeriu nuk mund t’i sigurojë dhe blejë, sado i pasur të jetë.

Këto janë gjëra në të cilat BARAZOHET i pasuri me të varfrit.

E para: Një mik i sinqertë dhe i besës.

Jo çdo shok dhe mik është i besës.

Ka shumë njerëz të cilët kërkojnë të miqësohen me ty dhe të afrohen, për një interes, për shkak të pasurisë, për hir të një posti, interesa familjare etj…

Po, mund t’i blesh shokët me para, por me t’u sosur këto të fundit, këta shokë i merr zbatica.

E dyta: Një emocion dhe ndjenjë e sinqertë, gjë e cila është tepër e vështirë në marrëdhëniet sociale mes njerëzve.

Nëse ajo është e mundur mes teje dhe një familjari, të afërmi, apo miku, dije se realisht je i pasur dhe i lumtur.

E treta: Respekti i njerëzve dhe vlerësimi i tyre, për shkak të respektit dhe vlerësimit tënd për ta, si dhe virtyteve të tua të larta.

Nëse e arrin këtë, dije se do të xhelozohesh nga shumë njerëz.

Shumë njerëz e blejnë respektin me pasuri, por me të falimentuar, respekti i njerëzve për ta humbet dhe shuhet.

Nëse e siguron respektin dhe vlerësimin pa para, dije se sinqerisht je i privilegjuar.

 

E katërta: Shëndeti, gjë të cilën e uron dhe dëshiron secili prej nesh.

E kush nuk dëshiron që gjatë gjithë jetës të jetë në gjendje të mirë shëndetësore.

Më kujtohet një biznesmen shumë i pasur i cili më tha një ditë: “Jam gati të jap çfarëdo shume, nëse më largon stresin dhe pagjumësinë natën”.

Apo historia e Steve Jobs që vdiq nga leuçemia dhe tha: Paratë nuk kanë asnjë vlerë, derisa nuk blen dot as shëndetin tënd.

E pesta: Përjetshmëria dhe rinia pambarim, gjë të cilat janë dëshirat dhe ëndrrat e secilit.

Por, jo gjithçka që dëshiron njeriu e arrin dhe realizon.

Sot mjekësia moderne ka zbuluar injeksione që të japin fuqi dhe energji për dhjetë vite, por pas këtyre viteve pason sërish dobësia.

Çdo qenie e gjallë do e “shijojë vdekjen”, pasi jeta është e kufizuar.

E gjashta: Të jesh i kënaqur me veten dhe të mos e urresh atë.

Të paktë janë njerëzit që janë të kënaqur me veten e tyre dhe pamjen.

Por nëse njeriu arrin të jetë i kënaqur me veten, sapo ka hedhur hapin e parë drejt lumturisë.

E për këtë nuk duhen para, pasi as nuk blihet as nuk shitet.

Ajo është një bindje e brendshme, me burim zemrën dhe shpirtin e njeriut.

E shtata: Bashkimi dhe qëndrimi pranë teje i familjarëve, gjë e cila është një mirësi dhe privilegj i cili nuk mund të blihet me para, por që realizohet duke u falur dashuri dhe dhembshuri.

E teta: Të ndihesh i sigurtë dhe i qetë me personat që të lidh puna, familjarët qofshin, miqtë, punonjësit apo kushdo tjetër.

Të gjithë e kërkojmë këtë lloj ndjenje, por të paktë ata që gjejnë, pasi edhe ajo nuk blihet me para.